FOTO/ Dëshira e çuditshme e futbollistit në Kosovë për klubin: Na informoni më shumë, blini dhe një aparat

Problemet ekonomike shpesh herë kanë qenë problemet më shqetësuese për futbollin shqiptar dhe jo vetëm, ku të shpeshta kanë qenë rastet kur futbollistët nuk janë paguar prej muajsh. Mesa duket, situata ekonomike është më e rëndë në Kosovë dhe bëhet fjalë për njërin nga klubet që pretendon që sezonin tjetër të luajë në Ipko-Superligën e Kosovës.

Dukagjini i Klinës është një nga skuadrat që synon një biletë për në Superligë dhe renditet në vendin e tretë në klasifikim, me 47 pikë, vetëm 5 më pak se Besa e vendit të dytë. Me pozicionin në vendin e tretë, Dukagjini ka mundësi të luajë në ‘Play Off’ për të provuar një biletë, por problemet ekonomike duken në nivele të mëdha te klubi nga Klina.

Në një postim në ‘Facebook’, klubi i Dukagjinit ka postuar një foto nga ndeshja e kampionatit dhe duket që është foto e bërë nga një aparat celular pasi fotoja e postuar nuk lidhet me foton që mund të postohet nga një faqe zyrtare e një klubi. Mesfushori i skuadrës, Dukagjin Gashi ka komentuar ku ka kërkuar që të ketë më shumë aktivitet në faqe dhe të ketë foto më profesionale.

Epik ka qenë reagimi i klubit nga Klina, që shprehet se mungon një aparat duke qenë se nuk kanë mundësi ekonomike, duke shtuar se mungojnë edhe shumë gjëra të tjera, të cilat po të plotësoheshin, gjërat do të ndryshonin për mirë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/