Formula 1/ Hemilton triumfon sërish ndaj Fetel dhe Ferrarit

Gara e radhës së Formula 1 ka nisur dhe ka përfunduar nën diktatin e Ljuis Hemilton. Kampioni i Botës në fuqi nuk e vuri për asnjë moment në dyshim triumfin në çmimin e madh të Kinës, teksa u nis nga vendi i parë duke udhëhequr prej fillimit garën.

Ndërkohë, në vendin e dytë u rendit piloti tjetër i Mercedesit, Vitali Botas, duke konfirmuar se në këtë fillim sezoni të Formula 1, skuderia gjermane është më lartë se Ferrari. Sërish një garë jo në nivelet e kërkuara nga Sebastian Fetel. Piloti gjerman nuk u kthye për asnjë moment në kërcënim për dyshen e Mercedesit, ndërsa në vendin e katërt e mbylli piloti tjetër i Ferrarit, Çarls Leklerk.

Ndërkaq, pas kësaj gare, Ljuis Hemilton ka marrë edhe kryesimin në renditjen e përgjithshme, ndërsa pas tij renditet Botas. Në vendin e tretë klasifikohet piloti i Red Bull, Maks Veshtapen, ndërsa vetëm vendi i katërt për Sebastian Fetel. Një nisje sezoni e përkryer për skuderinë Mercedes, teksa te Ferrari ka ende punë në mënyrë që të kthehen konkurrues ndaj Hemilton. Gara e ardhshme e Formula 1 do të jetë pas dy javësh në çmimin e madh të Azerbaxhanit. /Egi Çabeli-VipSport.al/