Ermir Lenjani si Skënderbeu, pret gjyqin në KAS për të mësuar nëse luan në Europë

Po shkëlqen në kampionatin zviceran me gola e asist, ka arritur të ngjitë Sionin deri në vendin e katërt në renditjen e kampionatit, por Ermir Lenjani nuk ka garanci se do të luajë në Ligën e Europës që të garanton ky pozicion gjatë verës. Po ashtu si Skënderbeu, edhe klubi i tij, Sioni, është prej rreth një viti në luftë me UEFA-n dhe në pritje të një përgjigje nga KAS i Lozanës ku ka apeluar një vendim të dhënë nga ndërkombëtarët.

Ndryshe nga Skënderbeu, nuk bëhet fjalë për çështje trukimesh, por për një dënim të dhënë për shkeljen e rregullave të transferimit. Klubi zviceran transferoi në vitin 2014 Ishmael Jartei nga Sosho, por vonoi të bënte pagesën te klubi francez, pasi drejtuesit e Sion mendonin se detajet ishin të paqarta.

Pagesa u krye me vonesë dhe UEFA argumentoi në mars 2018 se Sioni kishte thyer rregullat e kësisoj kishte marrë pjesë në mënyrë të padrejtë në Ligën e Europës 2017. Ndaj klubi u gjobit dhe u dënua me mospjesëmarrjen në aktivitetet ndërkombëtare në sezonin e ardhshëm ku do të kualifikohej. Sioni apeloi në KAS dhe pret përgjigje prej një viti dhe vetëm tani i kanë komunikuar që gjyqi në Lozanë do të zhvillohet në fund të majit.

Me pak fjalë, edhe nëse Sioni mban vendin e katërt deri më datë 25 maj, kur luhet java e fundit e kampionatit zviceran, nuk ka garancinë që do të luajë në Ligën e Europës, pa u shprehur KAS pak ditë më vonë. Ashtu si Skënderbeu, i cili aktualisht lufton për Europën në kampionat e Kupë, me shpresën që Lozana të kthejë vendimin e dalë nga zyrat e UEFA-s. /vipsport.al/