E bujshme/ Interi në kërkim të një mesfushori, në krye të listës është Xhaka

Dëmtimet e shumta këtë sezon, e kanë detyruar Spaletin që shpesh herë të improvizojë në formacion, por mesa duket nuk do ta ketë më të nevojshme të improvizojë duke qenë se drejtuesit kanë nisur të mendojnë për merkaton e verës. Zikaltërit janë në kërkim të forcimit të repartit të mesfushës dhe me shumë gjasa sulmit nëse Perisiç dhe Ikardi largohen.

Kështu, në listën e gjatë të Interit për mesfushorët, duket se vendin e parë e ka zënë ylli i Arsenalit, Granit Xhaka. Mesfushori i cili është kthyer në titullar të padiskutueshëm te skuadra londineze, po kalon një moment të mirë dhe këtë e tregojnë shifrat dhe statistikat e tij në fushë.

Mediat italiane raportojnë se Interi ka nisur seriozisht interesimin për mesfushorin shqiptar që e sheh si të denjë për projektin që zikaltërit kanë për sezonin e ardhshëm. Ai mund t’i kushtojë Interit deri në 50 milionë euro, por mesa duket kjo shifër nuk e tremb pasi pritet të ketë edhe largime të tjera. 26-vjeçari nënshkroi me ‘Topçinjtë’ në vitin 2016 për rreth 40 milionë euro. /Erjon Allaraj-VipSport.al/