E ardhmja e Hysajt duket larg Napolit, përgjysmohet klauzola e mbrojtësit

Ky sezon që po lemë pas nuk ka rezultuar ndër më të suksesshmit për futbollistin e Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj. Mbrojtësi nuk ka qenë një titullar i rregullt i skuadrës së Napolit teksa me emërimin në krye të Ançelotit, shkodranit iu desh kohë të përshtatej për t’u adaptuar me skemat e teknikut italian.

Edhe pse në kohët e fundit, Hysaj u duk sikur fitoi vendin në formacion sërish ka pasur pakënaqësi ndaj paraqitjeve të 25-vjeçarit. Hysaj edhe në mbrëmjen e djeshme, teksa Napoli po luante ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Europës, nuk ishte preferuar nga Ançeloti dhe ndoqi të gjithë ndeshjen nga pankina. Në këtë formë, shkodrani por edhe klubi po mendojnë që në fund të sezonit të ndajnë rrugët.

Për Hysajn ofertat brenda Italisë nuk mungojnë, ndërkohë që pas paraqitjeve të këtij sezoni kartoni i mbrojtësit nuk kushton më 50 milionë euro, ndërsa tashmë vlerësohet 25 milionë euro. Të kaltrit po presin ofertën dhe janë të gatshëm të negociojnë për Hysajn, pasi futbollisti nuk po përshtatet me skemat që aplikon Karlo Ançeloti.