E ardhmja e Manajt në dyshim, nëse dështon me skuadrën e tij mund të përfundojë te… Interi

Rei Manaj duket se e ka rigjetur formën e tij të mirë në Spanjë, megjithëse në ndeshjet e fundit i ka munguar goli. Sulmuesi i Kombëtares u largua këtë verë nga Granada dhe Interi që ka kartonin e tij vendosi ta huazojë te Albasete, skuadër e cila militon në Ligën e Dytë spanjolle.

Albasete ka të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit të Manajt, ndërkohë që nëse ky klub arrin të ngjitet në La Liga vitin e ardhshëm, atëherë klubi spanjoll është i detyruar të blejë Manajn. Nëse nuk arrin të ngjitet, Albasete mund të rikthejë sulmuesin nga Lushnja te Interi, me këta të fundit që me shumë gjasa do t’i gjejnë një skuadër tjetër deri sa të binden në aftësitë e tij.

Gjithashtu, ekziston një klauzolë e cila e lejon Interin ta blejë Manajn edhe nëse ky i fundit arrin të shkëlqejë dhe Albasete blen përfundimisht kartonin e tij. Klubi zikaltër ka ruajtur të drejtën e riblerjes për një shumë më të madhe se sa e ka shitur dhe kjo e drejtë, skadon në verën e vitit 2020. Në fund të këtij sezoni, Manaj do të njihet me të ardhmen e tij, nëse do të qëndrojë te Albasete apo do të rikthehet te Interi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/