Dy dështimet italiane të Shqipërisë, bashkë në një skuadër për të luajtur kundër Bekenbauer

Një turne bamirësie golfi bën bashkë dy trajnerët italianë që kanë dështuar në drejtimin e përfaqësueses shqiptare në këto vite. Xhuzepe Dosena dhe Kristian Panuçi janë dy trajnerët e përzgjedhur nga Armand Duka të cilët u larguan pa lënë gjurmë në futbollin tonë dhe janë cilësuar edhe nga vetë ai si zgjedhje të gabuara.

Të dy do të jenë përkrah njëri-tjetrit më datë 18 prill, në një turne golfi në Groseto, pasi të dy janë të dhënë pas këtij sporti. Ata do të tregojnë vlerat e tyre si pjesë e ekipit VIP të Italisë, ndërsa përballë do të kenë ish-sportistë të njohur të Gjermanisë, me në krye legjendën Franc Bekenbauer.

Edhe vitin e kaluar Panuçi iu kushtua shumë golfit, aq sa një ditë pasi mbaroi grumbullimin me Shqipërinë për miqësoret ndaj Kosovës e Ukrainës, ai udhëtoi drejt Spanjës, për të marrë pjesë atje në një turne personazhesh të famshme.

Dosena ishte trajneri i parë i huaj i përzgjedhur nga Duka, por qëndroi vetëm dy ndeshje para se të largohej pa kthyer kokën mbrapa, duke mos denjuar as të vinte të prishte kontratën në Tiranë. Ndërkohë, historia e Panuçit është shumë më e freskët dhe ndonëse zgjati më tepër se Dosena në drejtimin e kuqezinjve, edhe ai u largua si një humbës nga vendi ynë. /vipsport.al/