Douglas Kosta shihet sërish si mall shkëmbimi, Milani dhe Totenhemi duan brazilianin

Sapo u ble nga Juventusi verën e kaluar, Douglas Kosta u përfshi nga klubi bardhezi në disa shkëmbime të mundshme, që nga Mançester Junajtid me Pogba e deri te PSG-ja me Mbape.

Për momentin, për brazilianin e Juventusit nuk ka oferta konkrete, ndaj dhe e ardhmja e tij është ende enigmatike. Juventusi kërkon rreth  60 milionë euro, 15 milionë më shumë se shuma në total që pagoi te Bajerni për huazimin dhe më pas blerjen e futbollistit.

Në Itali për këtë lojtar ka një interesim nga Milani, por klubi kuqezi e ka buxhetin të limituar dhe më shumë mundësi ka që të investojë tek Everton ose Saint Maximin. Nga kampionatet e huaja është Totenhemi që e ndjek brazilianin, por njëkohësisht ndjek edhe Ivan Perisiç të Interit. Lamtumira e Douglas Kostës është e sigurt, ajo është firmosur që me pështymën e brazilianit ndaj Di Françeskos në ndeshjen me Sasuolon. / Vipsport.al