Dortmundi beson në rritjen e merkatos, refuzon ofertat e para për talentin Sanço

Borusia Dortmund është ende në garë për titullin kampion në Gjermani dhe njëkohësisht ka vazhduar të mendojë për të ardhmen dhe për sezonin tjetër. ‘Grerëzat’ duket se kanë një projekt të ri dhe duan të ngrenë skuadrën mbi talentet dhe më pas t’i shesin në Europë për shifra të konsiderueshme, duke sjellë kështu edhe fitime të shumta në skuadër.

Këtë po e tregon më së miri me talentin anglez Xhordan Sanço i cili është pjesë e Dortmundit dhe po bën paraqitje mbresëlënëse këtë sezon. Forma e tij, ka bërë që shumë skuadra të kërkojnë shërbimet e tij dhe më i interesuar është vetë Mançester Siti.

Pavarësisht kërkesave të shumta për shërbimet e Sanços, Dortmundi duket se nuk ka në plan që të dorëzohet dhe kërkon të mbajë në skuadër anglezin. ‘Sport Bild’ raporton se verdhezinjtë po presin duke besuar se vlera e tij do të rritet dhe mund ta shesin vetëm pasi të ketë kaluar vlerën 100 milionë euro. /Erjon Allaraj-VipSport.al/