Devolli: Nuk dorëzohemi deri në fund, edhe sot e treguam që jemi gjallë

Trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli u shpreh se skuadra e tij ka merituar më shumë ndaj Skënderbeut, duke thënë se rezultati është gënjeshtër. Në një prononcim për ‘Supersport’, ai u shpreh se asgjë nuk ka mbaruar duke qenë i bindur se skuadra e tij lufton deri në fund.

“Humbja? Rezultati është gënjeshtër pasi deri në minutën e 75 kemi bërë ndeshje të mirë. Pësuam gol nga një episod dhe pjesën e dytë bëmë ndeshje të mirë deri sa pësuam 2-0. Kemi pasur raste dhe mundësi për të barazuar por ky është futbolli dhe komplimenta kundërshtarit pasi është klub i organizuar dhe ekip me cilësi. Vazhdojmë punën dhe luftën deri në fund.

Kundërshtari? Nuk shqetësohem për rezultatet e kundërshtarëve pasi e dimë se ku ishim dhe ku jemi. Ka shumë pikë në lojë dhe vazhdojmë luftën, pasi humbëm vetëm betejën.

Mungesa e agresivitetit? Edhe sot treguam që ishim gjallë dhe vumë kundërshtarin në vështirësi. Nuk shqetësohem për skuadrën pasi i shoh në ndeshje dhe stërvitje. Pësojmë për gabime tona dhe këtu më vjen keq. E vazhdojmë luftën deri në fund.

Duhet të zbrisnim poshtë dhe të impononim kundërshtarin. Kemi bërë 3 ndeshje për një javë dhe nuk kemi kontingjentin e duhur. Kemi pasur probleme me futbollistët nga dëmtimet por unë jam optimist”, tha Devolli. /VipSport.al/