Cuculi:Të fitojmë Kupën, nuk jam i kënaqur me paraqitjet individuale

Në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Tiranën, sëbashku me trajneri Gjoka, ka qenë edhe futbollisti i Kukësit, Ardian Cuculi. Mbrojtësi është shprehur se i pret një ndeshje e vështirë për vetë objektivat e bardhebluve, ndërsa shtoi se Kupa është një objektiv dhe se nuk është i kënaqur me paraqitjen e tij personale.

Ndeshja me Tiranën

“Do të luftojmë maksimalisht për të qëndruar në vendin e dytë dhe për të parë sa më shumë përpara. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Tirana lufton për mbijetesë. Dihet emri i madh që ka Tirana. Do të jetë dhe një sfidë për ne, pas ndeshjes zhgënjyese ndaj Flamurtarit, në aspektin e rezultatit”.

Kupa e Shqipërisë

“Do të ishte një gjë e mirë, pasi çdo futbollist në fund të sezonit kur ngre një trofe, qoftë kupë qoftë kampionat është gjë e mirë. Kukësi e ka dëshmuar që çdo vit është pretendent dhe ngre nga një kupë. Do të ishte gjë e mirë, si për ne si për klubin për të vazhduar ecurinë e ngritjes së trofeve”.

Ndeshja e kaluar me Flamurtarin

“Normalisht kur luan me ekipe të nivelit të lartë, që janë në tabelën e renditjes lart normalisht që presioni është më i lartë. Shpresonim të bënim mirë, por nuk ja arritëm. Tani e kemi obligimin ndeshjen me Tiranën dhe Kupën”.

Paraqitja individuale

“Deri para dëmtimit kam pasur bilanc pozitiv, por pas dëmtimit nuk kam qenë i kënaqur. Ndoshta edhe për arsyen se kam nisur të aktivizohem shumë shpejt, kjo edhe nga dëshira për të ndihmuar ekipin, mbase i kam bërë edhe dëm”.