Champions League/ Juventus i ‘gjymtuar’ para Ajaksit, Junajtid mision i pamundur në Barcelonë

Sot në mbrëmje do të luhen ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Juventusi do të presë në shtëpi Ajaksin teksa Mançester Junajtid udhëton drejt Barcelonës. Në fakt, bardhezinjtë dhe katalanasit nisen paksa më të favorizuar për shkak të rezultatit në ndeshjen e parë, megjithatë gjithçka mbetet e hapur.

Kështu në Torino, Juventusi pavarësisht rezultatit 1-1, nuk është në situatën më të mrë për shkak të mungesave. ‘Zonjës së Vjetër’ do t’i mungojë përsëri kapiteni Xhorxho Kielini ndërsa në kampin bardhezi është shtuar edhe një mungesë e papritur, ajo e Mario Manxukiç. Kroati pati shqetësime gjatë stërvitjes dhe nuk është grumbulluar për këtë takim. Megjithatë, Alegri dhe Juventus nuk kanë justifikime dhe eliminimi do të ishte një dështim. Nga ana tjetër, Ajaksi edhe pse një ekip me shumë lojtarë të rinj në moshë por më shumë talente në organikë, ka treguar se nuk impresionohet nga kundërshtarët dhe ndihmohet nga fakti që luan pa presion.

Në takimin tjetër të mbrëmjes, Barcelona do të presë në ‘Camp Nou’, Mançester Junajtid. Katalanasit janë të favorizuar nga triumfi 0-1 në ndeshjen e parë, megjithatë ‘Djajtë e Kuq’ e kanë treguar në turin e kaluar se mund të bëjnë keq në transfertë. Ndërkohë, pas problemit në ndeshjen e parë në Angli, Lionel Mesi është plotësisht i gatshëm pasi pushoi në takimin e fundjavës në La Liga dhe në këtë formë argjentinasi është i motivuar për të udhëhequr Barcelonën në gjysmëfinale. /Egi Çabeli-VipSport.al/