Bubeqi analizon dhunën e Kavajës: Klubi gaboi me tifozët, shishet e gurët në fushë janë të pafalshme!

Dorjan Bubeqi, aktualisht trajner te Korabi dhe në të shkuarën zv. trajner e trajner i parë te kavajasit, aty ku ka spikatur si sulmues e ka ndjekur sfidën Besa-Bylis nga tribuna e stadiumit të “shtëpisë” së tij së bashku edhe me disa ish-lojtarë të spikatur kavajas që sot luajnë në Kategorinë e Parë dhe në Superiore.

Në një prononcim në “Rtshsport”, Dorjan Bubeqi duket se nuk ndihet mirë me ngjarjet që ndodhën në Kavajë.  “E kam ndjekur ndeshjen dhe nuk më ka ardhur mirë me ato që ndodhen. U hodhën shumë shishe, e gurë, dhe për fat shyqyr që nuk pati dëmtime të rënda. Klubi i Besës duhet që të punonte më shumë në aspektin e mënyrës së organizimit, pasi duhet sensibilizim për ndeshje të atilla”, – tha fillimisht Bubeqi.

I pyetur Dorjan Bubeqi se mund të merren masa të rënda, duke parë edhe dënimet e fundit, ish-sulmuesi që ka luajtur si për Besën ashtu edhe për Bylisin ka pohuar: “Kanë ndodhur ngjarje të rënda, por mendoj se duhet që të mjaftohen me dënimin me humbjen në tavolinë. Është e rëndë që u godit anësori, madje mund të kishte edhe pasoja, por e thash edhe më sipër se klubi duhet që të merrte masat dhe nuk duhet që të lejonte tifozët të hidhnin shishe pa fund në fushë”.

E.S./Vipsport.al/