Blerja e parë kineze do kthehet te Milani, do rivalizojë me Piatek dhe Kutrone

Zhvillime interesante në kampin e Milanit sa i takon sulmit. Në klubin kuqezi do të kthehet një nga lojtarët e blerë me shumë bujë, por që me fanellën e Milanit nuk i eci dhe më pas kaloi në huazim te Sevilja.

Andre Silva ishte blerja e parë e erës kineze te Milani, ku pritet të kthehet në verë. Sezonin e ardhshëm Milani do të ketë impenjime të rëndësishme dhe portugezi do të rivalizojë me Piatek dhe Kutrone për një fanellë titullari. Nuk është një skenar absurd. Andre Silva u bashkua me Milanin në vitin 2017, një vit më pas kaloi te Sevilja. Në Itali ai shfaqi aftësitë e tij teknike, por pati probleme me golin dhe përfundoi rezerva e Kaliniçit e më pas Kutrones.

Milani e huazoi te Sevilja në Spanjë, ku fillimisht bëri shumë mirë, duke shënuar rregullisht, por gjërat ndryshuan. Aktualisht sulmuesi vuan nga një problem në tendinë, që e ka mbajtur jashtë fushave në ndeshjet e fundit. Gjatë këtij viti forma e tij pësoi një rënie dhe nuk ka mundur të shënojë më shumë se një gol.

Në situatën aktuale duket e vështirë që Sevilja ta blejë kartonin e sulmuesit nga Milani, aq më tepër që shifra është e lartë: 38 milionë, aq sa kuqezinjtë e blenë nga Porto. Drejtuesve të Milanit u duhet të shohin në vend tjetër për ta shitur portugezin, në të kundërt duhet ta kthejë në ekip dhe t’i besojë atij për sezonin e ri. Andre Silva, me kthimin në Milanelo, duhet ta bindë Milanin për t’i dhënë një shans të dytë. / Vipsport.al