Bajern Mynih projekton sulmin drejt xhevahirit të Romës, bavarezët gati çekun prej 50 milionë euro

Nëse ky sezon i Romës deri më tani ka pasur një aspekt pozitiv, atëherë ai mban emrin e Nikolo Zaniolo. Sulmuesi anësor mbërriti në kryeqytet si një pjesë shkëmbimi në marrëveshjen mes Romës dhe Interit për të transferuar në Milano, mesfushorin Raxha Naingolan. Pritej që belgu të shkëlqente me Interin por në fakt ka ndodhur krejt e kundërta. Zaniolo filloi të fitojë ndeshje pas ndeshje vendin në formacion teksa cilësitë e tij sa vinin dhe dilnin më shumë në pah.

Tashmë, edhe pse për pak muaj mbush 20-vjeç, duket se ka eksperiencën e duhur pas aktivizimeve në vazhdimësi. Duke parë edhe situatën që po kalon Roma, me klubin që sezonin e ardhshëm rrezikon kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pretendentët për Zaniolon kanë filluar të interesohen për shërbimet e tij.

Së fundmi sipas gjermanes ‘Bild’, klubi Bajernit të Mynihut duket se është i gatshëm të ofrojë 50 milionë euro për Zaniolon. Megjithatë, për të mbërritur te talenti italian nuk do të jetë e thjeshtë pasi bavarezët do të hasnin në konkurrencën e Juventusit. Bardhezinjtë kanë kohë që bëjnë sondazhe mbi sulmuesin dhe duket se janë në ‘pole position’ për ta transferuar në Torino. /Egi Çabeli-VipSport.al/