Arbitrat e Championsit/ Një francez “i abonuar” me Ajaksin për Juven, një polic për Porto-Liverpul

Ndeshja e nesërme Juventus-Ajaks do të gjykohet nga një “fytyrë” e njohur. Bëhet fjalë për francezin Klement Turpin, i cili do të ketë ndihmës Nikolas Danoas dhe Siril Gringore. 36-vjeçari francez këtë sezon ka mbajtur 29 ndeshje, 5 nga të cilat në Champions. Ka dhënë 20 kartonë të verdhë, 2 të kuq dhe 3 penallti.

Bilancin në karrierë e ka 378 ndeshje, 1213 kartonë të verdhë, 31 të kuq pas 2 të verdhësh, 74 të kuq direkt dhe 129 penallti. Turpin ka gjykuar 3 ndeshje të Ajaksit, që ka fituar një, ka barazuar në një tjetër dhe e ka humbur të tretën. Hera e fundit daton më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në “Cruijff Arena”, ku gjykoi ndeshjen Ajaks-Bajern në grupe, 3-3. Juventusin e ka arbitruar vetëm një herë në Championsin 2017-2018, në fushën e Sportingut të Lisbonës, ku ndeshja u mbyll 1-1.

Barcelona-Mançester Junajtid do të gjykohet nga gjermani Feliks Bryzh, me asistentë Mark Borsh dhe Stefan Lup. Mançester Siti-Totenhem i është besuar turkut Çyneit Çakir, me ndihmës Bahatin Duran dhe Tarik Ongun. Ndeshja mes Portos dhe Liverpulit do të gjykohet nga holandezi Deni Makelie, me profesion polic, me ndihmës Mario Diks dhe Hesel Stegstra. / Vipsport.al