Aleksi: Nuk kemi gjetur zgjidhje për kontratën, luaj kudo që më thotë trajneri

Albano Aleksi ka qenë një nga më të dalluarit në fitoren që Luftëtari arriti të marrë ndaj Laçit. Në një prononcim për ‘Supersport’, ai u shpreh se ka luajtur pa presion ndaj Laçit, ndërkohë që ka folur edhe për problemet që ekzistojnë mes tij dhe klubit për rinovimin.

“Çdo ndeshje për mua është e radhës dhe jap maksimumin si çdo lojtar. Ekipi ka bërë një nga ndeshjet më të mira dhe më të vështira. Nuk shohim presionin e pikëve por duam të bëjmë lojën tonë.

Edhe lodhja ka qenë por edhe momenti i fundit është përqendrimi por kaloi me sukses dhe jemi të qetë pasi edhe gjuajtja e Gjonit në fund doli jashtë.

Konflikti? Janë gjëra që i përkasin skuadrës dhe është vendim i klubit. Nuk doja të isha i pezulluar por isha në stërvitje me të rinjtë. Nuk arritëm në konkluzion për kontratën e re dhe do të shohim nëse zgjidhet. Ia kemi lënë kohën dhe nëse nuk zgjidhet, secili sheh punën e tij.

Nga mungesa e Ramadanit, jam afruar me portën dhe aty kam luajtur dhe e bëj më mirë. Çdo lojtar aty jep maksimumin por unë luaj kudo ku thotë trajneri dhe ku ka nevojë ekipi”, tha Aleksi. /VipSport.al/