Alegri: Alibi për eliminimin gjejnë ata që nuk fituan, Ronaldo është e ardhmja

Masimiliano Alegri ka dalë sot para mediave në prag të takimit që skuadra e tij luan nesër përballë Fiorentinës. Të besuarit e Alegrit, kanë mundësinë më të mirë për të fituar titullin kampion, duke qenë se u duhet vetëm një pikë që të shpallen matematikisht, ndërkohë që ndeshja me Fiorentinën vjen direk pas eliminimit nga Championsi.

Alegri u shpreh se eliminimi nga Ajaksi duhet të lihet pas dhe të mos ketë alibi, pasi kjo e dëmton edhe për sezonin e ardhshëm. Sakaq, Alegri ka folur edhe për Ronaldon, të cilin e konsideron të ardhmen e Juventusit.

“Nesër kemi mundësinë të fitojmë titullin kampion në Itali dhe eliminimi nga Liga e Kampionëve duhet të pranohet pasi nuk po kthehemi sërish. Të gjesh alibi për eliminimin është një nga rrugët të cilat ndjekin ata të cilët nuk kanë fituar. Nuk duhet ta lëmë veten tonë të ketë eufori, por nuk duhet as që të biem pre e depresionit pasi kështu dëmtojmë rrugën për sezonin tjetër.

Ronaldo është i zhgënjyer si të gjithë ne. Ai bëri gjithçka mundi dhe është pjesë e Juventusit dhe me të projektohet e ardhmja dhe sezoni tjetër. Unë kam një kontratë edhe për 1 vit dhe do ta respektoj deri në fund”, tha Alegri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/