Afro dy muaj nga përjashtimi, lojtarët e Kamzës janë në ajër për të ardhmen: Jeta jonë pa rroga dhe futboll!

Që nga Argjentina e deri në Nigeri, italianë apo brazilianë ishin të huajt e Kamzës këtë sezon, pa thënë se ka pasur edhe shumë lojtarë nga rrethet, por që më pas kanë mbetur në ajër. Pa rroga, por edhe pa futboll! “Rtshsport” ka kontaktuar dhe intervistuar disa lojtarë titullarë të Kamzës.

Ilir Abdyli, portieri që kishte dy sezone që luante me Kamzën dhe një nga “gardianët” e spikatur shpreson që kontrata të zgjidhet nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve: “Presidenti dhe kryesi e klubit gabuan, nuk duhej të ndodhte ajo që ndodhi. Ne presim se çfarë do të ndodhi për të ardhmen tonë, pasi duhet që të sqarohemi. Dihet se si shkoi puna me klubin, por FSHF-ja duhet që të ndërhynte apo të ndërhyjë”.

Ndërkohë i shqetësuar edhe Masato Fukiu ka pohuar: “Kam folur me avokatin se si do të jetë fati i kontratës me Kamzën për muajt e mbetur. Jam në Shqipëri dhe nuk kam shkuar në vendlindjen time, pasi pres më parë në zgjidhje të situatës”.

Një nga kualitetet dhe titullarët e Kamzës është edhe vlonjati me eksperiencë, ku Orjad Beqiri tha: “Një periudhë shumë e vështirë, ne jemi profesionistë dhe normalisht edhe ne nuk e kemi pritur shumë mirë, sepse ndikon financiarisht, por edhe në aspektin e formës sonë sepse ne futbollin e kemi profesion”,  – kanë qenë këto fjalët e Beqirit.

E.S./Vipssport.al/