Xhakomo Vrioni për aventurën te Venezia: Asnjëherë më parë si këtë sezon

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Xhakomo Vrioni, i cili aktivizohet me skuadrën e Venezias në Serinë B italiane, është shprehur në një intervistë për “La Nuova Venezia”, se asnjëherë më parë nuk i ka ndodhur si në këtë sezon, teksa ka ndërruar 3 trajnerë të ndryshëm. Skuadra Venezias që po lufton për të mbijetuar në Serinë B, sapo ka emëruar në krye të ekipit trajnerin e mirënjohur Serxhe Kozmi, teksa me teknikun e ri 20-vjeçari shpreson të kthehet në një element të rëndësishëm.

“Kozmi po punon në një mënyrë të ndryshme nga trajneri i mëparshëm, po mundohet të na përçojë përqendrimin që na nevojitet në ndeshjet e mbetura. Duhet të japim maksimumin në fushë. Morali në skuadër tani është përmisuar. Të ndryshoja 3 trajnerë brenda një sezoni nuk më kishte ndodhur, por të shërben për t’u rritur në aspektin individual. Kemi pasur një shpërqendrim në ndeshjet e fundit që e kemi paguar shtrenjtë pasi në një kampionat të vështirë nuk falet, por tani na duhet të reagojmë dhe të nxjerrim kualitetet”, tha Vrioni.

Sa i përket Kombëtares, këtë herë Xhakomo Vrioni do të aktivizohet me ekipin U21 pasi nuk është grumbulluar nga tekniku i Kombëtares A, Kristian Panuçi.  /Egi Çabeli-VipSport.al/