VIDEO/Moto GP, sezoni i ri nis me triumfin e Doviciozos, mposht me fotofinish Mark Markez

Gara e parë sezonale e Moto Gp, ka filluar sërish nën duelin tashmë të zakonshëm mes Markez dhe Doviciozo.  Në cirkuitin e Katarit, dueli mes pilotëve ka vazhduar deri në xhiron e fundit. Në fakt, gara ishte e hapur edhe për pilotët e tjerë me Rinz dhe britaniku Kraçlou, që ishin deri në fund pretendent për një vend në podium pasi asnjë prej pilotëve të kreut nuk arriti të shkëputej.

Megjithatë, në kthesat e fundit dueli ishte i gjithi mes Doviciozos dhe Markez, me spanjollin që provoi të pamundurën për të marrë fitoren e parë sezonale, por në kthesën e fundit, në momentin e parakalimit kampioni i botës në fuqi, gaboi trajektoren, me Doviciozon që fitoi në fund me fotofinish. Ndërkaq, në vendin e tretë u klasifikua Karl Kraçlou.

Mund të konsiderohet një paraqitje e mirë edhe ajo e legjendës së Moto Gp, Valentino Rosi i cili edhe pse u nis nga pozicioni i 14, pas një paraqitje jo të mirë në provat zyrtare, arriti ta përfundonte cirkuitin në vendin e pestë.

Në këtë mënyrë, mbyllet në një mënyrë spektakolare gara e parë sezonale e Moto Gp, teksa edhe në këtë sezon duket se Markez dhe Doviciozo shfaqen si protagonistët kryesorë për triumfin final. /Egi Çabeli-VipSport.al/