VIDEO/ Pësoi golin qesharak të vitit, klubi i Ramadanit akuzohet për trukim ndeshjesh

Pas ngjitjes historike në Superligën daneze, Vejle po kalon tashmë një makth duke qenë se është gozhduar në vendin e fundit të klasifikimit duke treguar një formë mjaft të dobët. Me skuadrën e Vejles, aktivizohen edhe dy futbollistët shqiptarë, Ylber Ramadani dhe Arbnor Muçolli të cilët ishin dy të preferuarit e trajnerit Sormani ndërkohë që edhe pas largimit të tij po gjejnë hapësira.

Sikur të mos mjaftonte forma e dobët, tashmë në drejtim të Vejles kanë vërshuar akuzat për trukime ndeshjesh. Së fundmi në kampionat, Vejle është mundur me rezultatin 2-1 ndërkohë që goli i dytë i shënuar nga Esbjerg ka qenë një gol mjaft qesharak, ndoshta goli më qesharak i vitit. Në minutën e 40, është ndërruar portieri ku vendin e Bajzas e ka zënë Hagelskjaer.

Ka qenë pikërisht portieri danez ai i cili në minutën e fundit, ka lëshuar topin në tokë duke lejuar vendasit që të shënojnë edhe golin e dytë, gol që i jep 3 pikë të rëndësishme. Me fitoren e arritur, Esbjergu ka kaluar automatikisht në grupin për Europën, duke shmangur grupin e mbijetesës. Kjo ka bërë që ndaj Vejles të nisin akuzat për trukim ndeshjesh dhe me shumë gjasa do të nisë edhe një hetim për golin e shënuar dhe për një marrëveshje të mundshme mes klubeve. /Erjon Allaraj-VipSport.al/