VIDEO / Interi për hall, mundet në shtëpi dhe ikën edhe nga Liga e Europës

Interi i ka dhënë lamtumirën Ligës së Europës, duke u eliminuar nga Eintraht Frankfurt i cili e ka mundur në “San Siro” skuadrën zikaltër e cila sot përballej me një krizë të mirëfilltë dëmtimesh e pezullimesh. Por përtej situatës së vështirë dhe numrit të reduktuar të lojtarëve, zikaltërit nuk ishin asnjëherë në ndeshje dhe vetëm disa mrekulli të Handanoviç bënë që ata të dilnin nga fusha e lojës vetëm me një humbje 1-0.

Eintraht bëri gjithçka mirë që në fillimin e ndeshjes, duke gjetur shpejt golin me Joviç e duke vështirësuar kështu kalimin e mëtejshëm të skuadrës italiane. Por Interi gaboi thuajse gjithçka duke mos pasur forcë të reagonte, ndërsa ekipi gjerman provoi edhe disa herë të tjera të kalonte Handanoviç, i cili me pritje të vazhdueshme ndali tentativat drejt portës së tij.

Edhe pjesa e dytë nuk ishte më e ndryshme, me Interin që provoi pa bindje se mund t’ia dilte të kthente fatin e ndeshjes, ndërsa Eintrahti menaxhoi mirë situatat dhe minutat, duke bërë që ndeshja të shkonte në rrjedhën që kërkonte, duke prerë në fund biletën për në çerekfinale.

Me këtë disfatë, Interi sheh të dalë nga një tjetër objektiv sezonal dhe tashmë i mbetet vetëm të luftojë për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve nëpërmjet kampionatit. /vipsport.al/