VIDEO/ Bojkoti ‘trullos’ arbitrat, gola të anuluar dhe penallti e pa dhënë në kryeqytet

Pas bojkotit që shtyu javën e 25 të Kategorisë Superiore, në vend është kthyer futbolli me ndeshjet e Kupës dhe sigurisht me gafat e arbitrave që ashtu si para bojkotit, vazhdojnë të jenë përcaktues në ndeshjet që gjykojnë. Laver Alla, ka qenë gjyqtar kryesor në takimin mes Tiranës dhe Laçit, takim të cilin Alla me shokë e kanë bërë ‘baltë’. Ndihmësit e tij kanë qenë Marjus Qose dhe Edlir Malo.

Pak minuta pasi nisi takimi, Hoxhallari largon një top me dorë nga zona dhe kurbinasit pretendojnë për penallti, por Alla është ai i cili vazhdon lojën dhe akordon një goditje nga këndi.

 

U duk se ky gabim do të ndryshonte diçka në vendimet e tjera, por në fakt ka sjellë edhe shumë gabime të tjera. Xhixha është gjendur i vetëm përballë portierit Abibi duke pasur një rast të shkëlqyer për të shënuar, por asistenti ka akorduar pozicion të parregullt.

Pak minuta më vonë, kanë qenë bardheblutë ata që kanë gjetur golin e parë me anë të Grecës, por arbitri ka akorduar pozicion të parregullt për Ngon, që ishte asistues te goli i Grecës. Pamjet në fakt tregojnë se vendimi i asistentit ka qenë tepër i dyshimtë.

Ka mjaftuar vetëm një minutë, që asistenti të bënte gafën e radhës, ku Hasani ka lëvizur mirë në zonë duke realizuar i vetëm përballë Selmanit, por edhe goli i shkodranit është anuluar për pozicion të parregullt. /Erjon Allaraj-VipSport.al/