U dhunua barbarisht në Kamzë, rikthehet të gjykojë Eldorjan Hamiti

Trauma e dhunës barbare pas ndeshjes Kamza-Laçi duket se ka kaluar. Arbitri Eldorjan Hamiti është kthyer të gjykojë në javën e 26-të të kampionatit. Lezhjani është caktuar nga sektori përkatës të gjykojë ndeshjen mes Teutës dhe Kastriotit në Durrës.

Kujtojmë që Eldorjan Hamiti u dhunua disa javë më parë në stadiumin e Kazmës nga drejtuesit skuadrës vendëse, pasi akordoi një penallti në favor të Laçit në kohën shtesë. Pamjet filmike të dhunës ndaj tij bënë xhiron e botës dhe ngjarja mori vëmendjen edhe të shtypit të huaj sportiv. Kamza, për atë ngjarje, u përjashtua nga aktivitetet dhe zbriti dy kategori më poshtë.

Shoqata e Arbitrave Shqiptarë vendosi në atë kohë të bojkotonte kampionatin në të gjitha kategoritë. Më pas, pas një takimi mes drejtuesve më të lartë të policisë, FSHF-së, drejtuesve të klubeve, madje edhe të kryeministrit Edi Rama, u arrit një marrëveshje për sigurinë fizike në stadiume, ku do të kthehej policia.

Tani duket se ajo ngjarje e rëndë është harruar dhe sot kryesori Hamiti ka zbritur sërish në fushë. / Vipsport.al