Turpërimi i Shqipërisë në Andorra, thyhet rekord negativ pas 13 vitesh

Shqipëria U21 u turpërua mbrëmjen e djeshme në Andorra, duke barazuar me rezultatin 2-2 ndaj një kundërshtar më shumë se modest, mund të konsiderohet amator. Paraqitja e kuqezinjve ndaj një ekipi që futbollin duket se e ka pikën më të dobët, ka thyer një tabu më shumë se 13 vjeçare për Andorrën, rekord ky që vihet pikërisht përballë Shqipërisë që si prioritet ka ‘furnizimin e Kombëtares’ me futbollistë të talentuar.

Që nga viti 2006, e deri më sot Andorra nuk ka arritur të shënojë kurrë dy gola në një ndeshje zyrtare, duke arritur vetëm një fitore përballë Letonisë që luante me dy kartonë të kuq, fitore kjo me rezultatin minimal 1-0. Në këtë mënyrë, për herë të parë Andorra tregon muskujt duke realizuar dy gola dhe duke marrë një pikë ndaj një kundërshtari si Shqipëria, futbollistët e së cilës luajnë në klube të ndryshme europiane dhe përveç futbollit nuk kanë tjetër profesion siç mund të kenë ata të Andorrës.

Kuqezinjtë shkonin në këtë takim pas një humbjeje 1-2 ndaj Turqisë në ‘Elbasan Arena’ dhe fitorja ishte detyrim. Kundërshtari përballë ishte më i miri i mundshëm për kuqezinjtë që të çliroheshin para portës, por gabimi ishte se çliruan sulmin e Andorrës në një ndeshje ku pritej ndoshta goleada dhe jo pësimi i dy golave. Ndoshta, Shqipëria U21 këtë vit ka të tjera rekorde për të thyer pas në grup ka ekipe si Austria, Anglia apo edhe Kosova. /Erjon Allaraj-VipSport.al/