Të premten hidhet shorti, por ekipet spanjolle kanë pësuar rënie drastike

Të premten në orën 12 do të hidhet shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Ajo që të bie në sy është se deri më tani në skuadrat e kualifikuara asnjëra prej tyre nuk vjen nga La Liga. Përjashtimin mund ta bëjë vetëm Barcelona në mbrëmjen e sotme, në rast se arrit të kalojë me sukses francezët e Lion.

Megjithatë, edhe nëse katalanasit kualifikohen kjo do të ishte hera e parë prej sezonit 2009-2010, që Spanja të përfaqësohej në fazën çerekfinale vetëm me një ekip, dhe në atë sezon ishte blaugranat që mbërritën deri në gjysmëfinale.

Ndërkohë, e kundërta ndodh për klubet angleze të cilat në këtë fazë të kompeticionit nuk kishin qenë kaq të shumta prej sezonit 2000-2001.

Në atë kohë, Lids, Mançester Junajtid dhe Liverpul, ishin tre skuadrat që përfaqësonin Premier League, po aq sa dhe në këtë sezon. Por, në rast se Liverpul kalon më tej në mbrëmjen e sotme atëherë në çerekfinale do të ishin 4 ekipe angleze pas Sitit, Junajtid dhe Totenhem.  Sakaq, në çerekfinale deri më tani janë kualifikuar gjithashtu, Juventus, Ajaks dhe Porto.  /Egi Çabeli-VipSport.al/