“Sterling nënvlerësohet për shkak të ngjyrës së lëkurës, nëse Kejn do të bënte si ai…”

Mançester Siti shkatërroi Shalken me 7 gola, një nga të cilët e realizoi Rahim Sterling. Sulmuesi anglez vazhdon të tregojë një formë të shkëlqyer, ndërsa ish-mbrojtësi i Mançester Junajtid, Rio Ferdinand, mendon se ky lojtar nuk ka vlerësimin që meriton. Sipas tij, gjithçka ndodh për shkak të ngjyrës së lëkurës.

Ferdinand është kthyer kështu në temën e racizmit, që ka përfshirë jo pak herë lojtarin e Mançester Sitit. Sterling ka qenë disa herë viktimë e sulmeve raciste, por këtë herë Ferdinand, duke folur për “BT Sports”, nuk është ndalur te sjellja e tifozëve, por të vëmendja që ky lojtar meriton nga shtypi.

Ish-mbrojtësi ka bindjen se Sterling është një nga futbollistët më të mirë në Europë. “Mendoj se Sterling gjykohet nga ngjyra e lëkurës dhe nënvlerësohet. Nuk mendoj se ai ka marrë vlerësimin që meriton. Nëse Herri Kejn do të bënte atë që bën Sterling, do të flitej se ai meriton “Topin e artë”. Nuk e kam me Kejn, ai nuk ka të bëjë fare, por dua të them se shpesh Rahim nënvlerësohet. Ai është një lojtar i pjekur në fushë dhe jashtë saj.

Mënyra si sillet është një shembull për futbollistët e rinj të çdo origjine dhe çdo kulture”, – tha ndër të tjera Ferdinand. / Vipsport.al