Skandali i Shpresave / Ndaj Andorrës në stol kishte lojtar nga kategoria e dytë maqedonase (FOTO)

Rezultati i Shpresave të Shqipërisë me Andorrën do të hyjë në historinë e futbollit shqiptar si një nga momentet më të turpshme të futbollit në vendin tonë. Nuk ka si të jetë ndryshe, duke llogaritur se përballë cilës skuadër u arrit. Megjithatë, duket se një dorë të madhe për të këtë arritje Andorrës ia dha edhe trajneri i U21 të Shqipërisë, Alban Bushi, me zgjedhjet e tij gjithmonë të diskutueshme.

Sikur të mos mjaftonin ftesat në ndeshjet miqësore për futbollistë të cilët luajnë në ekipe të panjohura në kategoritë inferiore të vendeve të ndryshme në Europë, në ndeshje zyrtare Alban Bushi ka grumbulluar dhe ka ulur në stol një futbollist i cili aktualisht është pjesë e një prej skuadrave që mban vendin e fundit në Kategorinë e Dytë në Maqedoni.

Besir Rajadani ishte lojtari i grumbulluar së fundmi nga Shpresat për këtë ndeshje, një lojtar i cili nuk ishte në listën e publikuar nga FSHF në nisjen e grumbullimit dhe as te “shtesat” pas tërheqjes së Rosit për të luajtur me Greqinë. Pa vënë kurrsesi në dyshim aftësitë apo potencialin e mbrojtësit në Shkupi, duket shumë e çuditshme që në radhët e përfaqësues U21 të Shqipërisë për ndeshje zyrtare të grumbullohet një lojtar i Genç Kalemler, skuadër e cila mban vendin e fundit bashkë me Teteks në Ligën e Dytë Perëndim në Maqedoni.

Prania e tij në listë e aq më tepër në stolin e përfaqësues Shpresa për një ndeshje zyrtare, zhvlerëson qartësisht edhe një herë kampionatin shqiptar dhe emrat që aktivizohen në skuadra të ndryshme në vendin tonë e tregon se si po keqmenaxhohen pa u hyrë ferrë në këmbë ekipet që përfaqësojnë flamurin shqiptar në Europë. /vipsport.al/