Situata me lojtarët e Kamzës, çfarë ndodh me ta në vazhdim të kampionatit!

Lojtarët e Kamzës janë shokuar nga vendimi i fundit i Komisionit të Disiplinës për përjashtimin e skuadrës së tyre nga aktivitetet dhe zbritjen e saj në Kategorinë e Dytë. Po tani, çfarë do të ndodhë me këta futbollistë?

Zyrtarë të FSHF-së kanë sqaruar për “Vipsport.al” se këta futbollistë vazhdojnë të jenë nën kontratë me Kamzën, sepse kjo skuadër nuk ka shpallur falimentin. Ata mund të respektojnë kontratën, edhe mund të luajnë në Kategorinë e Dytë me këtë skuadër.

Çfarë ndodh nëse futbollistët prishin kontratën, pra nëse marrin dokumentacionin përkatës nga klubi i Kamzës? Të njëjta burime në FSHF kanë pohuar se për këtë rast nuk ka asnjë pikë në rregullore që të tregojë se si veprohet.

Me siguri lojtarët e Kamzës do të kërkojnë largimin nga Kamza dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me ta në 12 javët e mbetura të këtij kampionati. / Vipsport.al