‘Shpërthen’ Alban Bushi: Do ta shoh nëse Mala luan sot, “të dëmtuarit” nuk vijnë më në Kombëtare

Shqipëria U21 nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Andorrës pak ditë më parë dhe trajneri Alban Bushi u përball me mungesa ku një ndër to ishte talenti i Partizanit, Esat Mala i cili ka pësuar një dëmtim para ndeshjes ndaj Andorrës duke munguar. Megjithatë, trajneri Bushin duket se ka dyshim në dëmtimin e futbollistëve duke shtuar se ka parë neglizhencë nga futbollistët dhe ka vendosur që t’i ndjekë në ndeshjet e fundjavës.

Ai shprehet se nëse futbollistët luajnë këtë fundjavë, atëherë do të marrë masa dhe nuk i grumbullon më në Kombëtare, duke qenë se fanella e Kombëtares është e shtrenjtë.

“Mala ka qenë dëmtuar dhe ka pasur probleme me gjurin. Do ta ndjek atë dhe dy tre lojtarë të tjerë këtë javë dhe do të shoh nëse do të luajnë, pasi me ekipin kombëtar A ose U21 nuk mund të bësh shaka. Kur vjen aty duhet të japësh maksimumin. Nëse një lojtarë është i dëmtuar me ekipin kombëtar gjatë ditës së martë e të mërkurë, ndërsa ditën e premte jep 100% e tij, atëherë është shumë e vështirë që të jetë përsëri pjesë e kombëtares.

Stafi mjekësor më tha se ka një tërheqje në ligament. Doktori më tha se do ishte e pamundur që të luajë për të paktën një javë. S’dua të përmend emra, por dy ose tre trajnerë marrin lojtarët  e tyre duke i thënë mundohuni të luani 30 minuta në Andorra ose fare pasi kemi ndeshje në kampionat. Çdo lojtarë duhet ta dijë se fanella e kombëtares është e shtrenjtë, gjithsesi në grumbullimin e ardhshëm mund të kemi 2 ose 3 mungesa nga këto lojtarë që thashë”, tha Alban Bushi. /VipSport.al/