Prenga: E dimë se për çfarë hyjmë në fushë, por nuk e dimë se çfarë bëjmë

Trajneri i Laçit, Besnik Prenga është shprehur i pakënaqur me skuadrën e tij, duke qenë se ka pësuar një humbje me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Tiranës. Ai u shpreh për ‘Supersport’ se ndihet i zhgënjyer nga skuadra e tij duke qenë se nuk po arrin të bëjë mirë dhe nuk di se çfarë bën në fushë.

“Nuk e kisha përgatitur ndeshjen për të pritur Tiranën. Rezultati 3-0 është i vështirë të përmbyset dhe Tirana është një skuadër që po luan shumë mirë. Kemi disa javë që nuk po luajmë fare dhe morëm një fitore ndaj Partizanit, që as vetë nuk e di se si e morëm. Nuk mund të flas për taktikë pasi Tirana na dominoi ost.

Nuk dua të mashtroj dhe të vë në gjumë askënd e shpresoj të ndodhë përmbysja por nëse nuk vrapojmë ngjajmë me ekip veteranësh dhe jo serioz. Është koha të ndryshojmë gjithçka, nuk e di se nga, ndoshta nga koka. Ne nuk bëjmë asgjë dhe presim vetëm minutat të kalojnë prandaj nuk mund të dalim më mirë.

Unë jam nga një kohë e gjatë këtu por kemi pasur fat që kanë gabuar të tjerët. Kemi bërë 2-3 ndeshje që nuk quhen ndeshje. Ndeshje pa siguri dhe lufte e jo futbolli. Futemi në lojë me mendje se e dimë çfarë do të bëjmë, por pas ndeshjes nuk e di se çfarë bëmë. Përgjegjësia ishte e imja pasi jam këtu prej muajsh dhe në janar na duhej diçka të forconim ekipin por nuk e kemi bërë. Nuk është një ndeshje e dobët por shumë të dobëta. Sot ishte ndeshja që e meritonim me kohë.

Siç jam kritik te ndeshja, jam i kënaqur në stërvitje. Kemi zhvilluar miqësore të mira por janë ndryshe miqësoret dhe ndryshe kampionati. Dikush bën diferencën dhe diçka më shumë se të tjerët. Ende nuk e kemi gjetur kush është dhe po rrotullohemi. Nuk jemi ekip që mund të luajmë në sulm prandaj është e rëndësishme që të kuptojmë se duhet të nxjerrim djersë dhe gjak për të mbaruar ndeshjen me sukses.

Jo më kot i kam rënë kambanave para disa javësh dhe e kam bërë që t’i dëgjoj i pari unë. Dua të bëj të pamundurën për të bërë diçka. Që nga janari jam përpjekur të bëj diçka, por nuk ia kam arritur. Kam thënë të njëjtat fjalë pasi edhe kur kemi fituar nuk na kanë kënaqur. Kemi bërë ndeshje serioze me Kukësin, ndoshta me Partizanin dhe të tjerat nuk na kanë kënaqur. Nuk dua të flas fjalë boshe por që ta dëgjojmë të gjithë. Kjo nuk është rrugë e mirë dhe duhet të luftojmë. Laçi ka emër dhe traditë në Europë e kampionatin shqiptar. Erdha të ndryshoj diçka, por i pari që ka dështuar jam unë. Në Kupë duam të bëjmë ndryshimin për të qenë pretendentë por dështuam. Nuk jemi as të parët e as të fundit dhe që nesër duhet të mbledhim mendjen e të dalim nga kjo situatë”, tha Prenga. /VipSport.al/