Prapaskena me Moratën, Simeone i kërkoi të mos takohej me lojtarët e Juves

Trajneri Diego Simeone donte një Alvaro Morata të përqendruar maksimalisht te ndeshja me Juventusin. Dhe sulmuesi spanjoll ishte ndoshta më i miri në fushë për Atletikon, që u eliminua nga Championsi pas humbjes 3-0.

“Cholo” i kishte dhënë Moratës një porosi të veçantë përpara se skuadra spanjolle të shkonte në Torino. Sipas “Fox Sports”, trajneri argjentinas i kishte kërkuar që të mos ndalonte dhe të takohej me asnjë nga ish-shokët e tij te Juventusi para ndeshjes, në mënyrë që të mos shpërqendrohej.

Morata ka luajtur më parë për Juventusin dhe sigurisht që në klubin bardhezi ka shumë miq, por Simeone ia ndaloi t’i takonte ata, apo edhe të bënte foto me tifozët. Gjithsesi, kjo strategji nuk pati rezultat, pasi Atletiko u eliminua. / Vipsport.al