Pasojat e bojkotit, FSHF detyrohet të ndryshojë kalendarin e kampionatit dhe kupës së Shqipërisë

Pas një jave pezullim në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar për shkak të bojkotit të arbitrave, që erdhi pas dhumës në sfidën mes Kamzës dhe Laçit, u vendos që këtë jave të rifillojë aktiviteti futbollistik në vend.

Mirëpo, pezullimi duket se ka sjellë një ndryshim për sa i përket kalendarit të Kategorisë Superiore dhe atij të Kupës së Shqipërsië. Ka qenë Sektori i Garave në Federatë, i cili nëpërmjet njoftimit ka lajmëruar ndryshimet e datave.

” Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë disa modifikime të kalendarit të Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë, pas një jave ndërprerje të aktivitetit futbollistik. Ndeshjet e kthimit të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë do të zhvillohen më datë 3 Prill. Ndeshjet gjysëm finale do të zhvillohen në 24 Prill dhe 8 Maj 2019. Finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2018-2019 do të zhvillohet ditën e dielë më datë 2 Qershor. Java e 36-të e Kategorisë Superiore, e planifikuar për tu luajtur më datë 25 Maj do të zhvendoset për datë 29 Maj”, thuhej në njoftim.