Panuçi lë jashtë Manajn e Baren, në Spanjë e falënderojnë

Kristian Panuçi ka vendosur mos grumbullojë Keidi Baren dhe Rei Manajn për ndeshjet e përfaqësueses shqiptare kundër Turqisë dhe Andorrës, një vendim i cili ka çuditur jo pak duke llogaritur formën dhe aktivizimin  rregullt të të dy lojtarëve në La Liga2. Por ndërsa në Shqipëri kërkohet arsyeja e këtij vendimi, në Spanjë nuk ka gjë tjetër veç falënderimeve për teknikun italian.

Manaj dhe Bare luajnë në kategorinë e dytë spanjolle, e cila nuk ndalet kur luajnë përfaqësueset, por zhvillon rregullisht ndeshjet e saj. Në këtë situatë, të dy futbollistët do të mungonin në duele të rëndësishme në skuadrat që luftojnë për ngjitjen në La Liga nëse do të grumbulloheshin në kombëtare.

Ndaj si në rastin e sulmuesit të Albacetes, ashtu edhe në atë të mesfushorit të Malagas, mediat spanjolle pranë klubeve në fjalë kanë qenë shumë të lumtura për zgjedhjen që ka bërë trajneri Panuçi duke i lënë të dy jashtë këta futbollistë. Kjo shihej qartë në shkrimet që i kushtuan mosgrumbullimit të lojtarëve ku cilësohej fat që elementë të tillë nuk do të mungonin në fundjavën e ardhshme. Në këtë mënyrë, ndërsa Shqipëria do të përballet në eliminatoret e Europianit, dy lojtarët do të jenë edhe ata në fushë, me ekipet përkatëse në La Liga 2 ku duket i vlerësojnë më shumë se sa në vendin tonë. /vipsport.al/