Pa çerekfinale pas 8 viteve, Levandovski kundër Kovaç: Luajtëm në mbrojtje!

Bajern Mynih i ka dhënë fund serisë prej 8 edicionesh radhazi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve duke u gjunjëzuar përballë Liverpulit i cili e mundi dje me meritë në shtëpi me shifrat 3-1. Një dominim i skuadrës angleze të cilin e pranuan edhe vetë gjermanët, por me Robert Levandovskin që nuk ngurroi t’ia faturonte gabimet trajnerit Niko Kovaç, i cili sipas tij kishte zgjedhur të bënte lojën e sigurt që nuk të jep suksese në Europë.

“Luajtëm shumë në mbrojtje në të dy ndeshjet. Nuk shtymë përpara, nuk krijuam raste. Në shtëpi rrezikuam shumë pak”, ishin fjalët e Levandovskit pas sfidës. “Mendoj se mund të kualifikoheshim, edhe me një lojë mbrojtëse në ndeshjen e parë. Por kjo është Liga e Kampioneve, duhet të rrezikosh ndonjëherë. Sot, ashtu si në ndeshjen e parë, nuk e bëmë edhe aq mirë këtë gjë”, tha sulmuesi polak.

Edhe Mats Humels kritikoi taktikën e zgjedhur, por gjithsesi mbrojtësi Kovaç. “Ne kemi një stil loje që ndoshta nuk funksionon 100% ndaj ekipeve fituese. Ne mund të bënim diçka tjetër që mund të funksiononte mirë në këtë ndeshje. Por duhet të mbroj trajnerin, ai na e kërkon shpesh një gjë të tillë. Megjithatë, gjërat nuk funksionojnë gjithmonë si do të dëshironim”, tha ai. /vipsport.al/