Një “tifoz” special për Hysajn dhe Napolin, në tribunë do të jetë sot Franc Bekenbauer

Salcsburgu dhe Napoli luajnë sot në Austri ndeshjen e kthimit në Europa League. Janë dy skuadra me histori dhe një pjesë e historisë do të jetë e pranishme edhe sot në stadium. Franc Bekenbauer, një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë, aktualisht 73 vjeç, një lider në fushë për stilin modern të lojës, do të jetë sot në tribunë për të parë sfidën e Napolit të Hysajt.

“Kajzeri” mbetet simboli i futbollit gjerman. Bekenbauer ka folur me Ançelotin dje në mbrëmje, kur trajneri italian foli në një lidhje direkte për “Sky Sport” para ndeshjes së Championsit mes Bajernit dhe Liverpulit.

Sot të dy do të takohen në stadiumin ku do të ndeshen Salcburgu dhe Napoli. Një orë e gjysmë udhëtim për ish-futbollistin e famshëm gjerman që të shkojë në Salcburg për të ndjekur nga afër këtë ndeshje, ku Hysaj pritet të jetë titullar. Ai doli dje në konferencë shtypi, bashkë me trajnerin Ançeloti. / Vipsport.al