Murinjo për kthimin e Zidan: Perfekt! Nga Madridi nuk më kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi

Zhoze Murinjo ka qenë nja nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e Real Madrid por në fund madrilenët vendosën t\i besonin përsëri trajnerit më fitues të historisë së tyre në vitet e fundit, Zinedin Zidan. Edhe vetë portugezi duket se mendon se Madridi ka bërë zgjedhjen e duhur për një trajner i cili njeh mirë grupin dhe mentalitetin e skuadrës në këto vite.

“Zidan më duket perfekt. Ai ka bërë gjëra fantastike në këto vite të fundit. Kjo është një mundësi e madhe për të treguar se sa i mirë është me një projekt të ri”, ishin fjalët e tij në emisionin ‘El Chiringuito de Jugones’, ku komentoi zgjedhjen e bërë nga drejtuesit madrilenë.

I pyetur më pas nëse ishte zhgënjyer nga kjo zgjedhje dhe çfarë shpjegimesh i kishin dhënë nga Madridi, ku shumëkush e shihte atë si trajnerin e ardhshëm, Murinjo tregoi versionin e tij. “Jo, jo, më duket zgjedhja perfekte. Real Madrid nuk më ka dhënë asnjë shpjegim, pasi unë nuk kam folur asnjëherë me askënd”, tha tekniku duke mohuar kontaktet me klubin.

Sipas mediave spanjolle, Reali kishte menduar fillimisht të afronte Murinjon, por lojtarët kishin kundërshtuar dhe për të mos kthyer një klimë armiqësie në ekip si në periudhën kur trajneri portugez drejtonte skuadrën, u preferua që të investohej përsëri te Zidan. /vipsport.al/