Mesazhi emocionues i Dibalës për një 13-vjeçar: Dua të të takoj sa më shpejt, je një hero!

Pak ditë më parë, Italia u godit nga një lajm i frikshëm, duke qenë se një autobus me 50 fëmijë të huaj u mor peng nga shoferi dhe iu vu flaka, duke synuar që të djegë të gjithë fëmijët e emigrantëve. Një 13-vjeçar, i quajtur Rami Shehata është treguar me të vërtetë një hero, duke qenë se me gjakftohtësinë e tij ka arritur t’i bëj thirrje forcave emergjente për situatën alarmante, duke bërë që të shpëtojë jetën e të gjithë fëmijëve.

Tifozi egjiptian i Juventusit ka marrë menjëherë nënshtetësinë italiane në shenjë mirënjohjeje, ndërkohë që edhe ylli i Juventusit, Paolo Dibala i ka bërë një premtim. Duke qenë idhulli i 13-vjeçarit, Dibala i ka dërguar atij një mesazh zanor duke e konsideruar një hero dhe duke i kërkuar njëkohësisht një takim sa më të shpejtë, pasi dëshira e tij ishte që ta njihte.

“Ç’kemi Rami! Si je? Shpresoj të jesh mirë. Jam Paolo Dibala dhe dua të të them se e di se çfarë ke bërë dhe je me të vërtetë një hero. Unë e di që ti ke fanellën time dhe për atë që ke bërë dua që të flas me ty. Dua që të të ftoj në një ndeshje në stadium dhe të shohësh një takim kur të mundesh. Realisht shpresoj që të të takoj. Je me të vërtetë i madh. Të dërgoj përqafime”, ishte mesazhi që Dibala i ka dërguar 13-vjeçarit, ndërkohë që nuk ka munguar as përgjigja.

“Përshëndetje Paolo, jam Rami. Dua të të them se je lojtari im i preferuar dhe jam tifoz me Juventusin sepse je ti aty. Kam fanellën tënde të varur në dhomën time. Ëndrra ime është që të të takoj dhe të kaloj një ditë të këndshme me ty. Kjo do të më bënte shumë, shumë të lumtur”, tha Rami. /Erjon Allaraj-VipSport.al/