Mediat spanjolle flasin me emra, Murinjo nuk firmosi për shkak të dy futbollistëve

Zinedin Zidan është rikthyer në krye të stolit të Real Madridit pas një pushimi 6 mujor. Dështimet e vazhdueshme të Lopeteguit dhe Solarit, bënë që Zidan të rikthehet edhe njëherë me qëllimin për të ngjitur Realin në nivelin që ishte para se të largohej.

Megjithatë, deri në momentet e fundit, Zidan ka qenë zgjedhje e dytë duke qenë se madrilenët kanë qenë të prirur për të rikthyer Murinjon në krye të stolit. Ai ishte shumë pranë rikthimit dhe vetë portugezi e kishte pranuar se do të kishte dëshirë të drejtonte edhe njëherë tjetër Realin pas largimit nga Mançesteri.

Duke ditur problemet me futbollistët që kishte në sezonet kur drejtonte Realin, mediat spanjolle raportojnë se Serxho Ramos dhe sulmuesi francez Benzema kanë dalë kundër këtij rikthimi. Ata kanë vënë veton që Murinjo nuk do të drejtojë më Realin dhe mesa duket, drejtuesit kanë pranuar që të plotësojnë dëshirën e dy futbollistëve që tashmë kanë si trajner Zidanin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/