Mediat skoceze, Grezda është kthyer në problem për trajnerin Xherrard

Sezoni i Rejnxhërs në kampionatin skocez, ku aktivizohet dhe futbollisti i përfaqësueses shqiptare Eros Grezda, nuk ka marrë drejtimin në të cilin shpresonte trajneri Stiven Xherrard. Ekipi është eliminuar nga kupa dhe është 8 pikë larg rivalëve të Selltik.

Pikërisht mbi këtë situatë, ka nisur analizën e saj dhe e përditshmja “The Scottish Sun” e cila ka evidentuar mes problematikave të tjera, edhe Grezdën si një nga problemet e teknikut Xherrard, për shkak se në shumicën e ndeshjeve nuk ka qenë i gatshëm, duke u kthyer në një futbollist part-time.

Në fakt, ky sezon deri më tani ka qenë i pafat për gjakovarin, i cili pas transferimit në Skoci nuk arriti të shndërrohej në një pikë fikse të formacionit, ndërsa shkak janë bërë dëmtimet e shpeshta. Edhe në momentin kur Grezda arriti të fitonte minuta, futbollisti u dëmtua sërish në fazën përgatitore të skuadrës.

Megjithatë, Grezda duket se ka hedhur pas krahëve dëmtimin e fundit dhe është grumbulluar në Kombëtare, nga trajneri Panuçi, për dy ndeshjet eliminatore të Europianit 2020.  /Egi Çabeli-VipSport.al/