Mbylli aventurën me Koloradon, Gashi: Nuk më lejuan të stërvitesha, e dija që do më largonin

Shkëlzen Gashi në vitin 2016, zgjodhi të transferohej në mënyrë surprizë nga Bazeli, në kampionatin amerikan, te skuadra e Kolorado Rapids. Në fakt, Gashi ishte mjaft i vlerësuar në ekipin amerikan, ndërsa me performancat dhe golat e realizuar u kthye në një faktor për të tijtë, duke qenë se edhe eksperienca me Bazelin e kishte ndihmuar shumë futbollistin për t’u shprehur në një kampionat të një niveli mesatar si MLS.

Megjithatë, sulmuesi në vazhdim nuk arriti të ruante të njëjtin nivel, teksa u shndërrua në një lojtar stoli, çka solli që në këtë sezon klubi të mos e kishte në planet e veta, pasi futbollisti ishte dhe një nga më të paguarit në ekip.

Së fundmi, në një prononcim të shkurtër për “The Denver Post”, Gashi shprehet se e kishte kuptuar se bashkëpunimi i tij me Koloradon kishte arritur fundin. “Nga fillimi i parapërgatitjeve të sezonit kisha leje për t’u stërvitur vetëm me skuadrën e të rinjve. Aty e kuptova se klubi dhe unë do të shkonim në rrugë të ndryshme, por edhe në këtë situatë qëndrova profesionist, dhe shënova dy gola në dy ndeshje”, tha Gashi. /Egi Çabeli-VipSport.al/