Liga e Kampionëve/ Njihen skuadrat çerekfinaliste, shorti premton spektakël në fazën tjetër

Mbrëmjen e sotme, janë njohur edhe dy skuadrat e fundit të cilat kanë prerë një biletë për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ku Barcelona dhe Liverpuli kanë mundur të marrin rezultate pozitive ndaj Lionit dhe Bajern Mynihut, duke iu bashkuar në këtë mënyrë skuadrave që ishin kualifikuar në ditët e kaluara.

Të premten, në Nion të Zvicrës do të hidhet shortin për fazën çerekfinale, ku duke parë skuadrat që kanë arritur deri në atë fazë, me fat mund të konsiderohen ekipet që do të kenë përballë Porton dhe ndoshta Ajaksin. Këto dyja, janë në letër dy skuadrat më të dobëta por që kanë treguar se nuk janë rastësisht në këtë fazë, sidomos Ajaksi.

Në shortin që do të hidhet në Nion, duke nisur nga ora 12:00, nuk do të ketë asnjë përjashtim dhe mund të luajnë edhe skuadrat e së njëjtit vend. Sakaq, as vazo nuk ka dhe secila mund të luajë ndaj secilës. Bie në sy dominimi i skuadrave angleze, duke qenë se 4 ekipe vijnë nga Premier Liga. Totenhemi, Mançester Siti, Mançester Junajtid dhe Liverpuli po mbajnë lart nderin anglez, ndërkohë që asnjë skuadër gjermane nuk bën pjesë.

Italia përfaqësohet në çerekfinale nga Juventusi, ndërkohë që edhe nga Spanja është vetëm Barcelona përfaqësuese. Një skuadër do të jetë nga Portugalia, Porto dhe nga Holanda është Ajaksi i Amasterdamit. Ndeshjet çerekfinale do të luhen në datat 9 dhe 10 prill, ndërkohë që një javë më vonë luhen edhe ndeshjet e kthimit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Skuadrat e kualifikuara:

Ajaksi

Juventusi

Mançester Siti

Mançester Junajtid

Totenhem

Liverpul

Porto

Barcelona