Liga e Kampionëve/ Dueli i hapur mes Bajern dhe Liverpul, Barcelona duhet të bëjë detyrën

Në Ligën e Kampionëve, sot në mbrëmje do të luhen edhe dy ndeshjet e fundit sa i përket kësaj faze, teksa dy skuadrat e kualifikuar do të bashkohen me ekipet e tjera drejt raundit të çerekfinaleve.

Sfida më e ndezur pritet të jetë ajo e “Allianz Arena” mes Bajernit të Mynihut dhe Liverpulit. Ndeshja e parë në Angli përfundoi me rrjeta të paprekura, duke sjellë në këtë sfidë lehtësisht më të favorizuar Liverpulin, pasi ekipit të Jurgen Klop do t’i mjaftonte barazimi me gola për të kaluar më tej. Në këtë mënyrë, bavarezët janë të detyruar të fitojnë takimin, ndërsa do të vuajnë edhe mungesën e Xhoshua Kimish, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Ndërkohë, në sfidën tjetër, Barcelona, niset si favorite për të kaluar ndaj Lionit, për shkak të kualiteteve në ekip, megjithatë, katalanasit ashtu si Bajerni të vetmen rrugë drejt çerekfinaleve kanë fitoren, pasi në Francë, Mesi me shokë u ndalën në një barazim pa gola.  /Egi Çabeli-VipSport.al/