Kombëtaret e moshave për turp, FSHF i kërkon UEFA-s organizimin e Europianit

Për Federatën Shqiptare të Futbollit rëndësi ka vetëm imazhi dhe jo rritja e nivelit të futbollit shqiptar. Në vend që të mendojë se si të ringrejë futbollin e moshave që po regjistron paraqitje të turpshme në aktivitetet ndërkombëtare, të kurorëzuar me sukses me barazimin 2-2 ndaj Andorrës të U21, FSHF mendon si të marrë fonde nga UEFA falë organizimit të fazës finale të një turneu të moshave për meshkuj apo femra. Kjo është e vetmja mënyrë në fakt që Shqipëria të marrë pjesë në një aktivitet të tillë, pasi nëpërmjet kualifikueseve duket qartësisht se as nuk i afrohet.

UEFA ka bërë të ditur se FSHF ka bërë aplikimin e parë, përkrah 16 shteteve të tjera, për të organizuar fazën finale të Kampionateve Europiane për vitet 2021 dhe 2022. Turnetë në fjalë janë fazat finale për Kampionatin Europian U19 dhe U17, si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Meqë në këtë listë nuk është asnjë nga vendet fqinje, qartësisht FSHF ka bërë aplikimin e vetme si vend organizator për turnetë, faza finale e të cilëve zhvillohet me 8 skuadra e sigurisht do të kërkonte disa impiante në dispozicion.

Megjithatë, fillimisht Shqipëria do të duhet të paraqesë një dosje të mirëfilltë për shqyrtim në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ku përtej dëshirës së FSHF-së që tashmë është pjesë e tij, votimi do të bëhet duke u bazuar mbi mundësitë reale të vendeve që aplikojnë për këto turne pasi ndërkombëtarët janë shumë rigorozë në kushtet që duhen plotësuar. /vipsport.al/