Kapelo snobon Ronaldon, tekniku e përjashton nga lista e 3 futbollistëve më të mirë në histori

Pas paraqitjes fantastike të Kristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve, janë ngritur sërish pikëpyetjet se kush është lojtari më i mirë mes tij dhe Mesit, apo më i miri i historisë së futbollit. I fundit që ka dhëne mendimin e tij mbi këtë situatë është tekniku i mirënjohur, Fabio Kapelo, i cili nuk e ka fshehur mendimin e tij ndërsa ka anashkaluar Ronaldon.

“Në historinë e futbollit vetëm 3 kanë qenë gjenitë e topit, Pele, Maradona dhe Mesi. Sigurisht ky është vetëm mendimi im”, ka sqaruar italiani. “Maradona dhe Mesi jo vetëm që mendonin gjëra gjeniale por edhe i zbatonin në praktikë. Së bashku me Pelen, ishin dhe janë futbollistët më impresionues, unik”, është shprehur Kapelo, i cili në karrierën e tij ka trajnuar shumë klube.

Sigurisht, deklarata e 72-vjeçarit, ka krijuar zhurmë, pasi Kapelo ka mënjanuar në këtë mënyrë Kristiano Ronaldon, duke mos e llogaritur, edhe pse 2 ditë më parë, 5 herë fituesi i topit të artë, vërtetoi se pavarësisht moshës apo në cilën skuadër aktivizohet sërish mbetet në maksimum.  /Egi Çabeli-VipSport.al/