Jo vetëm Superiore, projekti me të rinjtë te Bylisi vazhdon

Serxhio Ujka është një nga afrimet e presidentit të skuadrës mallakastriote, Besnik Kapllanaj në kuadër të projektit që ka për afirmimin e talenteve dhe marketingut. Ujka ka luajtur me Laçin në Superiore, madje ka qenë pjesë e skuadrës edhe verën e shkuar në Kupat e Evropës, ndërsa më parë, për më shumë minuta ka qenë titullarë në radhët e skuadrës së Shënkollit, në Kategorinë e Parë në Grupin A.

Në janar, u bë pjesë e ballshiotëve. “Bylisi është zgjedhja ideale. Kam dëgjuar që në Ballsh lojtarët e rinj që duan të ecin e kanë si trampolinë. Mua më pëlqeu vlerësimi i drejtuesve dhe synimi i klubit. Këtu çdo gjë funksionon mjaft mirë. Unë jam i bindur që ne do të ngjitemi për shkak të faktorëve që kam përmendur më sipër. Të gjithë takimet janë të vlerësuara nga ana jonë, çdo ndeshje është si finale më vete”.

“E njoh Kategorinë e Parë, sepse edhe në Grupin e Veriut ku unë kam luajtur ka pasur shumë garë të fortë. Por, dua të them se në Jug ka shumë rivalitet. Të gjithë e kemi të qartë se duhet të ngjitemi në Superiore dhe kam besim se do të ngjitemi”, – tha Ujka, një nga lojtarët premtues të Bylisit.

E. Saliu /Vipsport.al/