Ish-trajneri i Partizanit dhe Skënderbeut analizon: Nëse Milan fiton derbin, kalon në Champions

Pas një aventure jo të suksesshme në Shqipëri si trajner, Andrea Agostineli është rikthyer në Itali, aty ku tashmë ka rolin e një opinionisti dhe analisti sportiv. I ftuar në një emision sportiv në ‘RMC Sport’, ai ka analizuar klubet italiane në Kupat e Europës dhe kampionatin italian, duke qenë i bindur se nëse Milani fiton derbin, mbyllet çështja Champions për ta.

“Juventus-Atletiko? Futbolli italian ishte shumë lart. E prisja që Juventusi të luante ashtu pasi historia e thotë por kurrë nuk kisha menduar dominim total në 95 minuta. Ekipi ishte i balancuar dhe Alegri qëlloi me lëvizjet. Në kohën shtesë, Kin dhe Dibala mund të bënin diçka më shumë me anë të shpejtësisë që kanë dhe mund të kishin fituar ndeshjen para penalltive.

Bonuçi dhe Kielini nuk donin të shkonin në shtëpi, mbeten më të mirët. Uria e Kielinit është e jashtëzakonshme. Pashë një Spinazola dhe Bernardeski shumë të mirë, me personalitet dhe që përfituan nga stili i lojës.

Interi, Milani dhe Napoli? Nëse Napoli shënon një gol, Salcburgut i duhen pesë, prandaj them se italianët kanë shansin e artë për të kaluar më tej dhe do ta bëjnë padyshim. Interi e ka të vështirë pasi 0-0 është e rrezikshme. Çuditërisht, Eintrahti është më i mirë jashtë se brenda dhe luan me dy rezultate.

Nëse Milani fiton në derbi, nuk do të duhej gjë tjetër në kampionat dhe do të mbyllet çështja Champions. Të mundësh sot Milanin, është e vështirës pasi është një skuadër solide dhe nuk pëson shumë. afrimet e reja, i japin diçka shtesë”, tha trajneri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/