Ish-trajneri i Interit sulmon sërish zikaltërit, “Ishin një grup i kalbur”

Ish-trajneri i Interit, holandezi Frenk De Bur, ka sulmuar sërish zikaltërit. Në fakt tekniku në çdo deklaratë asnjëherë nuk e ka lënë pa përmendur aventurën zhgënjyese në drejtimin e italianëve. Megjithatë, këtë herë ka bërë përshtypje përsëri një intervistë e De Bur, i cili thotë se lojtarët e atij ekipi ishin të kalbur, teksa shtoi se kërkoi t’i jepte kulturë të fituari Interit, pasi në atë kohë lojtarët zikaltër nuk kishin mentalitet fituesi.

”Doja të ndryshoja kulturën dhe strukturën, sepse ai klub kishte shumë kohë që nuk fitonte, u dedikova i gjithi, për të punuar me lojtarët. Kisha të bëja me një grup të kalbur por nuk më lejuan të skercoja disa futbollistë. Duhet të kisha qenë më i vendosur, nëse do të bësh gjërat mirë, duhet t’i bësh që në fillim, mbase më pengojë fakti se doja të isha mik me të gjithë”, tha tekniku 48-vjeçar.

Aventura e De Bur te Interi nuk zgjati shumë, teksa trajneri qëndroi në krye të zikaltërve për 3 muaj, ndërkohë që tashmë holandezi po stërvit klubin e Atlanta Junajtid në Amerikë.    /Egi Çabeli-VipSport.al/