Intervista nga Greqia/ Bushi tallet keq: Doni të bëni Greqinë një Shqipëri të dytë, Durmishaj pendohet shpejt

Fiorin Durmishaj ka zgjedhur të luajë për Greqinë dhe pavarësisht insistimit nga drejtuesit shqiptarë, vendimi i tij ka qenë i palëkundur. Një nga ata që ka pasur më shumë kontakte me Durmishajn, ka qenë trajneri i Shpresave, Alban Bushi i cili edhe ka pasur mundësi ta trajnonte me Shqipërinë U21.

Bushi ka dhënë një intervistë të gjatë për ‘Gazzetta.gr’, duke kritikuar ashpër zgjedhjen që Durmishaj ka bërë. Sakaq, ai ka përfituar që edhe të tallet me kombëtaren greke, duke e konsideruar edhe një Shqipëri të dytë, për më tepër, kjo tallje është bërë në tokën greke. Bushi është i bindur se Durmishaj, do të dështojë dhe do të pendohet shpejt për zgjedhjen e bërë, pasi është zgjedhje e bërë nga gënjeshtrat.

“Durmishaj ka qenë pjesë e Shqipërisë U21 për 2 vite. Është një futbollit me të cilin ka folur shumë. Ka qenë një fëmijë dhe futbollist shumë i mirë. E vërteta është se u çmenda kur mësova se ka zgjedhur të luajë për Greqinë. E di shumë mirë si janë gjërat në Greqi. E kemi parë të kaluarën e Hasit te Olimpiakosi. E kuptoj se ai ka ngrënë bukë në Greqi, por zemra e tij është Shqipëria.

Nuk e di nëse kur të veshin fanellën e Greqisë, do të ndjejnë diçka. Zemra e tyre rreh vetëm për ngjyrat kuqezi të kombëtares shqiptare. Nëse ata i kanë premtuar para ose transferim diku tjetër nëpërmjet kombëtares greke, e kanë gënjyer. Nuk është e vërtetë. Jam i sigurt se ai do të pendohet për këtë që po bën. E njoh mirë Greqinë.

Shqipëria nuk është si 20 vite më parë dhe jam surprizuar nga zgjedhja e tij. Mendimi im është se nëse Greqia do të ketë të njëjtin pozicion, futbollistët grekë nuk do të kenë fat. Mund të luajë, vetëm nëse është Mesi. Kam thirrur për ndeshjen me Turqinë, Vrushajn dhe Bullarin. Nuk mund ta besojë se këta djem do të zgjedhin Greqinë. Nuk mund ta imagjinoj në Greqi duke luajtur 3 futbollistë shqiptarë. Doni ta bëni Greqinë  një kombëtare shqiptare të dytë? Është një shtet me 11 milionë banorë dhe nuk mund të varet vetëm nga talentet që vijnë nga Shqipëria.

Kam folur me Durmishajn dhe më ka kërkuar falje për zgjedhjen që ka bërë. Siç e thashë, është një lojtar shumë i mirë por nuk mund ta shpjegoj zgjedhjen e tij. E respektoj sigurisht, por nuk do të marrësh para nga kombëtarja. Greqia është shumë pak më lart se Shqipëria. Nuk ka diferencë të madhe dhe nuk besoj se te Greqia do të bëjë një karrierë më të suksesshme.

Hysaj që paguhet rreth 2-3 milionë euro, luan te Napoli dhe ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë. Strakosha është rritur në Greqi, por ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë dhe tashmë është te Lacio. Janë disa futbollistë të Kombëtares që luajnë në Spanjë dhe në Itali dhe nuk mendoj se zgjedhja e tij lidhjet me këtë. Angelos Anastasiadis që e donte kaq shumë te Greqia, pas 2-3 vitesh mund të mos jetë trajner i Greqisë.

E kemi diskutuar këtë çështje di vite më parë dhe më ka siguruar e më ka thënë se nuk do ta zgjidhte Greqinë për asnjë arsye. Jemi nga i njëjti qytet që e ka ndjerë shumë Luftën e Dytë Botërore dhe ka më shumë ndjeshmëri për Shqipërinë. Kjo ndihet edhe te unë. Si është lidhja me Greqinë? Në 10 vite ai mund të luajë te Uatfordi dhe nuk do të jetë në Greqi. Kështu ka ndodhur me Strakoshën. Sigurisht i respektojmë zgjedhjet e tyre dhe nuk i diskutojmë. Greqia i mori dhe për 1-2 vite nuk do të jetë këtu. Pyetja ime është: A do të arrijë Greqia në një pikë që të ketë një staf me 10 shqiptarë?

Në këto pozita, a mund të luajë? Imagjino në një ndeshje të ketë 3-4 shqiptarë dhe gjërat të mos shkojnë mirë. Do t’i ‘masakrojnë’ dhe do t’i largojnë nga Greqia duke mos i trajtuar njëlloj si të tjerët. Nuk do t’iu tregojnë asgjë. Nuk e dini pse Greqia ka rënë mbi futbollistët shqiptarë? Të marrë Gjermania ose Norvegjia shqiptarë në skuadër, i kuptoj, kanë mentalitet tjetër. Por, grekët nuk duan shqiptarë në skuadër. E di se si i shohin shqiptarët.

Nuk e di nëse Durmishaj e ka bërë vetë këtë zgjedhje. Ai është 20 vjeç. Ndoshta, mund të ketë ndikuar menaxheri i tij ose babai. Arsyeja se pse ai nuk është thirrur te Shqipëria, ka qenë detyrimi për të kryer shërbimin ushtarak dhe që nuk e lejonte që të kalonte kufirin. Kështu që nuk mund të luante për Shqipërinë. Kam folur me Panuçin për shumë kohë dhe më ka thënë se do ta thërriste për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Andorrës, por kishte zhvillime”, tha Bushi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/